Tesla dhe Zoom kanë lajmëruar se kanë nisur zyrtarisht bashkëpunimin për të sjellë komunikimin përmes video-telefonatave në makinë. Përgjatë viteve të fundit, Tesla ka investuar shumë në shërbime që mund të jenë të rëndësishme kur këto makina të arrijnë drejtimin automatik self-driving.
Deri sa makina të drejtohet vetë, afati i së cilës është shtyrë disa herë nga CEO i Tesla, Elon Musk, këto shërbime do të përdoren vetëm kur makina të jetë e parkuar ose duke u karikuar. Tashmë Tesla ka vendosur të hedhë një hap më tej me përfshirjen e aplikacionit Zoom në makinat e saj. Gjatë eventit në Zoomtopia ditën e djeshme, Zoom lajmëroi integrimin zyrtar në Tesla.
Kur Tesla lançoi Model 3, ato përfshinë në makinë një kamera standarde të përfshirë në pasqyrën e sipërme. Më pas ky shërbim u bë i pranishëm në të gjitha makinat e tjera Tesla. Deri më tani kjo kamera përdorej vetëm si një mjet monitorimi për drejtuesit për të ndihmuar sistemin Autopilot dhe drejtuesit që përdornin Self-Driving Beta, për të shmangur kështu rreziqet.
Tashmë kjo kamera do të ketë një përdorim të ri, duke ndihmuar drejtuesit të marrin pjesë në video-telefonata direkt nga makina e tyre.