TikTok është tashmë platforma më e përdorur në botë. Me milionë njerëz shpenzojnë shumë orë duke shikuar me mijëra video interesante humoristike të krijuara nga përdoruesit e tjerë.
Tashmë, për t’i tërhequr përdoruesit të shpenzojnë më tepër orë në platformë, TikTok ka vendosur të nisë integrimin e lojrave në mënyrë direkte në aplikacion. Ky lajm vjen nga një raportim i Reuters ku tregohet se kompania mëmë ByteDance planifikon të shtojë video-lojra në TikTok. Dhe me shumë mundësi kompanisë nuk do t’i duhet shumë kohë për t’i sjellë lojrat në platformë, pasi në të gjenden shumë testues të ndryshëm.
TikTok ka përfshirë disa lojra të vogla në të kaluarën, duke përfshirë këtu dhe një lojë të quajtur Disco Loco 3D. Mirëpo kësaj here lojrat do të merren nga katalogu i gjerë i lojrave të ByteDance për mobile.
Nëse ju po mendonit se si TikTok do të përfitojë para nga ky shërbim i ri, besohet se në këto lojra do të përfshihen dhe reklamat. ByteDance do të sigurojë një përqindje të caktuar të përfitimeve, ndëkohë që pjesa tjetër do t’i shkojë zhvilluesve të lojës.
Përdoruesit kinezë të versionit të veçantë të TikTok në Kinë, Douyin, kanë luajtur lojra brenda aplikacionit që nga viti 2019.