Spotify Plus është një kategori e re abonimi low-cost për vetëm $0.99 në Spotify, ku kombinohen elementët e kategorive free dhe premium. Në këtë plan përfshihen reklama si në planin free, por përdoruesit nuk kanë më një limit në numrin e këngëve që mund të bëjnë skip brenda një ore.
Gjithashtu ata mund të dëgjojnë këngë specifike dhe jo një përzgjedhje të këngëve në një album ose playlist nga vetë aplikacioni. Ky plan është në një periudhë testimi pasi shumë pak persona kanë parë një reklamim të tij. “Ne kemi filluar testimin e një abonimi të mbështetur nga reklamat për një numër të limituar përdoruesish.” tha një zëdhënës i kompanisë. Përmes çmimeve konkuruese Spotify po tenton të rrisë interesin e përdoruesve që përdorin versionin free të tij.
Megjithatë platforma bëri të qartë se nuk është akoma e sigurt nëse kjo kategori do të lançohet për publikun e gjerë në këtë formë. “Disa testime shërbejnë si produkte bazë për disa versione të reja ndërkohë që disa të tjera të japin disa mësime” shtoi zëdhënësja e Spotify. Më parë platforma ka testuar dhe shërbime të tjera si “Stories” për playlists të caktuara, të cilat nuk gjenden më në versionin aktual të aplikacionit.