Drejtuesi i Shërbimeve Sekrete, James Murray, do të largohet nga posti i tij për të zënë një pozicion të ri si drejtues i sigurisë në Snap Inc. në fund të këtij muaji.
Lëvizja drejt sektorit privat e Murray u raportua për herë të parë ditën e enjte nga Washington Post, fill pas deklaratës zyrtare të drejtuesit se do të largohet nga Shërbimet Sekrete. Murray do t’i bashkohet Snap, kompanisë mëmë të Snapchat dhe do t’i raportojë në mënyrë të drejtpërdrejtë CEO-s Evan Spiegel.
“Ne jemi tepër të emocionuar të mirëpresim Jim Murray në Snap dhe mezi po presim që ai t’i bashkohet ekipit tonë nga data 1 gusht.” tha zëdhënësi i Snap, Pete Boogard. Në rolin e tij të ri, Murray do të ndihmojë në mbrojtjen dhe sigurinë e punonjësve të Snap dhe do të bashkëpunojë me forcat e zbatimit të ligjit nëse është e nevojshme.
Shërbimi Sekret i SHBA lavdëroi Murray për punën e bërë në mbrojtjen e sigurisë së drejtuesve të lartë të shtetit dhe përballimin e sfidave si pandemia e COVID-19. Agjensia ku Murray punoi është më shumë e njohur për mbrojtjen e sigurisë së presidentit, familjes së tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.
Dhe presidenti aktual i SHBA Joe Biden tha: “Jim ka mbrojtur familjet e presidentëve të ndryshëm të SHBA si të ishin familja e tij. Ne jemi tepër mirënjohës për shërbimin e tij kundrejt shtetit të SHBA dhe familjes tonë.”