Smartphone-t dhe tabletet që përdorin sistemin operativ Android po paralajmërohen që të tregojnë kujdes në instalimin e aplikacioneve mashtruese pasi të gjitha të dhënat e tyre mund të vidhen. McAfee zbuoi një vërshim të viruseve trojan, që e kanë origjinën nga Brazili, në dyqanin Play Store.
E ashtuquajtura BRATA, ose Brazilian Remote Acess Tool Android, është shfaqur për herë të parë në Brazil në 2018 dhe është përhapur shumë që nga ajo kohë. Ky aplikacion njofton përdoruesit se ato duhet të update-ojnë aplikacione të ndryshme si Google Chrome ose WhatsApp dhe në vend që t’i update-ojnë ato, instalojnë një malware i cili lejon kriminelët të kontrollojnë pajisjen tuaj.
Sipas McAfee, këto trojans mund të shfaqin website phishing që përdoren për të vjedhur identitetin tuaj, para ose password-in e smartphone-it tuaj. Kjo kompani ka zbuluar rreth 5 aplikacione në Play Store që përdorin këtë mënyrë “infektimi” në smartphone, të cilat kishin rreth 1,000 deri ne 10,000 shkarkime. Disa prej tyre prezantoheshin si antiviruse dhe përdorin emra si PrivacyTitan ose SecureShield.
Siç e kemi thënë dhe më parë, mos i besoni “verbërisht” aplikacioneve që ndodhen në dyqane mjaft të njohura si Play Store ose App Store, pasi ekziston mundësia që disa prej tyre të jenë viruse.