Bllokimi i TikTok në Shqipëri po i afrohet fundit të afatit 12-mujor dhe pyetja që të gjithë bëjnë nuk është më “nëse” do të kthehet, por “si” do të kthehet. Ndërsa qeveria flet për negociata të vështira dhe TikTok ruan heshtjen, ne në Geek Room kemi analizuar se cilat duhet të ishin shtyllat e një marrëveshjeje që garanton vërtet sigurinë, pa sakrifikuar lirinë e informimit.
Interesant është fakti se, nëse gërmon pak në historikun, publik ose jo, të komunikimeve (që nga takimi i rëndësishëm në Davos), kupton se bazat e kësaj marrëveshjeje mund të kenë qenë në “inbox” shumë më herët seç mendonim.

Ja cilat janë, sipas nesh, pikat që duhet të përmbajë paketa e rikthimit:
1. Një “Urgjence” për dhunën: Shqipëria si lider rajonal
Një nga pikat më kritike është reagimi ndaj dhunës mes të rinjve. Një zgjidhje që duhet aplikuar menjëherë është “ndërhyrja brenda aplikacionit” (in-app intervention). Nëse një përdorues kërkon terma që lidhen me dhunën, algoritmi nuk duhet të shfaqë video, por t’i drejtojë ata automatikisht drejt linjave lokale të ndihmës. Shqipëria ka shansin të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që implementon këtë protokoll.
2. Moderimi në gjuhën shqipe (Pa dorashka)
Nuk mjafton më inteligjenca artificiale që përkthen keq. Një kusht i panegociueshëm duhet të jetë dialogu i hapur me ekipe që flasin dhe kuptojnë nuancat e gjuhës shqipe. Duhet të sigurohemi që “slang-u” dhe konteksti lokal të mos kalojnë nën radar. Kjo kërkon që institucionet tona (si AKSHI apo AMA) të kenë akses të drejtpërdrejtë në qendrat e transparencës së platformës, ndoshta duke nisur me një vizitë në qendrat e tyre europiane në Dublin.
3. STEM: Një feed për edukim
TikTok shpesh shihet si humbje kohe, por platforma ka një “STEM Feed” (përmbajtje mbi Shkencën, Teknologjinë, Inxhinierinë dhe Matematikën). Ne mendojmë se ky feed duhet të jetë default për çdo përdorues nën 18 vjeç në Shqipëri. Madje, mund të shkohet më tej: platforma mund të mbështesë nisma kombëtare si “Medalja e Artë e Edukimit”, duke u kthyer në një partner për shkollat dhe jo në një armik të tyre.
4. Kontrolli Prindëror dhe “Family Pairing”
Siguria nuk është vetëm përgjegjësi e shtetit, por edhe e prindërve. Një fushatë masive marketingu brenda aplikacionit për mjetet e kontrollit prindëror (Family Pairing) dhe limitet e kohës në ekran (screen time) duhet të jetë pjesë e paketës. Prindërit duhet të dinë se si t’i filtrojnë hashtag-et e rrezikshme për fëmijët e tyre.
5. Bashkëpunimi me Shoqërinë Civile
Asnjë marrëveshje nuk mund të jetë e suksesshme pa partnerë lokalë si CRCA. Zgjerimi i burimeve për mësuesit dhe prindërit është jetik për të ndërtuar një ambient digjital të shëndetshëm.
Mendimi i Geek Room
A janë këto pika shumë për t’u kërkuar? Ne mendojmë se jo. Madje, kemi arsye të besojmë se propozime të tilla kanë qenë në tavolinë prej kohësh, pothuajse që në ditët e para kur u fol për bllokim. Nëse këto masa implementohen, rikthimi i TikTok në mars 2026 nuk do të jetë thjesht një “hapje rubineti”, por një fillim i ri me rregulla të qarta.

