Microsoft ka prezantuar aplikacionin më të ri iCloud për Windows, i cili ndërlidh iCloud-in e përdoruesve me aplikacionin Photos në PC. Mirëpo pothuajse menjëherë është zbuluar një problem në këtë app që shfaq fotot e një përdoruesi në adresat e përdoruesve të tjerë të panjohur.
Deri më tani ka patur raportime të shumta ku tregohet se një person ka parë fotografi të reja në iCloud-in e tij, të cilat nuk ishin të tijat. Disa përdorues të tjerë kanë parë se në aplikacion janë shfaqur disa video të cilat shfaqnin vetëm një ekran të zi me vija skanimi.
Qëllimi i aplikacionit iCloud për Windows është lejimi i integrimit të përmbajtjeve që vijnë nga burime të ndryshme, duke përfshirë këtu smartphone-t, kamerat dhe cloud storage të tjera si iCloud apo OneDrive. Fotot që vijnë nga iCloud do të listohen në një folder të veçantë që mund të aksesohet lehtësisht.
Megjithatë duket se lançimi i tij ka qenë disi problematik. Një pjesëmarrës në forumin e MacRumors ka treguar se ka testuar këtë problem në 3 PC të ndryshëm, 2 që përdornin sistemin operativ Windows 11 Pro dhe një Windows 10 Pro, dhe rezultatet ishin të njejta.
Në galerinë e tij janë shfaqur fotografi të cilat i përkisnin dikujt tjetër.