Meta ka nisur testimin e një platforme të re për transmetimin live të videove nga influencerat, e cila do të quhet “Super”, sipas një raportimi nga Business Insider. Kjo platformë e re do të lejojë influencerat të hapin një livestream, të fitojnë para dhe të ndërveprojnë me ndjekësit.
Tregohet se kompania i ka paguar përdoruesit nga $200 në $3,000 për të përdorur platformën për vetëm 30 minuta. Super nisi të zhvillohej në fund të vitit 2020 dhe tashmë ka kaluar në departamentin e ri të Meta New Porduct Experimentation.
“Super është një eksperiment i vogël, i veçantë që po krijohet nga New Product Experimentation dhe po testohet nga një grup i vogël krijuesish.” tha një zëdhënës i Meta.
Business Insider raporton se Meta tashmë ka nisur të kontaktojë me krijues të ndryshëm rreth këtij projekti. Platforma momentalisht operon në një sistem ku ndjekësit paguajnë për të aksesuar shërbimet e përfshira në transmetimin live. Ky raport tregon se ndjekësit mund të lënë gjithashtu një bakshish për krijuesit, dhe se krijuesit do të marrin 100% të fitimeve.
“Për momentin ajo gjendet vetëm në web. Testimi i këtij shërbimi ka nisur në mënyrë shumë të qetë para 2 vitesh. Qëllimi përfundimtar i këtij projekti është krijimi i një produkti të veçantë që do të jetë pjesë e familjes së produkteve të Meta.” tha zëdhënësi.
Article by Xhonald Mamo