WhatsApp i është futur punës për të prezantuar një shërbim të ri të dizenjuar për të mbrojtur bisedat e përdoruesve, pasi për momentin nuk janë aq të sigurta sa mendojmë.
Të gjitha bisedat që ne kryejmë në WhatsApp janë të mbrojtura me enkriptim end-to-end, i cili nënkupton se këto biseda nuk mund të dëgjohen nga një palë e tretë. Megjithatë problemi me sigurinë qëndron në ruajtjen e bisedave, ku nuk aplikohen të njetat teknika.
Kjo është ekzaktësisht çfarë WhatsApp po mundohet të ndryshojë. Shërbimi i ri, që do të publikohet gjatë këtij viti, do të lejojë përdoruesit e Android dhe iPhone të vendosin password-e në backup-et e tyre. Kjo shtresë ekstra nënkupton se tani dhe backups do të jenë të enkriptuara, dhe do të zhbllokohen vetëm kur të jetë përdorur password-i i saktë.
Për momentin përdoruesit ia besojnë ruajtjen e të dhënave Google Drive ose Apple iCloud Drive. Mirëpo me shërbimin e ri që do të ofrohet, përdoruesit do të enkriptojnë të dhënat e tyre para se ato të regjistrohen në Google Drive ose iCloud.
WhatsApp po vuan akoma nga paqartësitë e krijuara në lidhje me kushtet dhe politikat e shpërndarjes së të dhënave, dhe hap pas hapi po mundohet të përmirësojë shërbimet e saj.