Instagram ka prezantuar gjatë ditës së djeshme disa ndryshime të reja në Direct Message, duke mbajtur kështu premtimin e dhënë se DM do të pajisjej me një update të rëndësishëm në 2022.
Kompania tregon se këto ndryshime janë pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të përmirësuar mënyrën se si përdoruesit ndërlidhen me miqtë e tyre, ku përfshihen dhe ofrimi i modaliteteve Following (bën të mundur renditjen kronologjike të postimeve) dhe Favourites (bën të mundur ndjekjen e postimeve nga krijuesit e preferuar).
Këto do të jenë ndryshimet kryesore që do të vijnë në Direct Messages:
- Shpërndarja e muzikës: Instagram do të integrohet me Apple Music, Amazon Music dhe së shpejti me Spotify për të lejuar përdoruesit të shpërndajnë një fragment 30 sekondësh të këngëve në chats
- Përgjigja e shpejtë ndërkohë që navigon: aplikacioni do t’ju lejojë t’i përgjigjeni mesazheve të reja ndërkohë që navigoni në Feed, pa patur nevojën për të shkuar në inbox dhe të humbisni përmbajtjen që po ndiqni
- Dërgimi i shpejtë: tashmë ju mund të mbani shtypur butonin share për të rishpërndarë një postim me miqtë tuaj më të afërt
- Status: në krye të inbox-it tuaj, ju mund të shikoni se cili është i lirë për të komunikuar, në mënyrë të ngjashme me Messenger.
- Mesazhet e heshtura: ju mund të dërgoni mesazhe drejt miqve tuaj pa i bezdisur (kur e dini se po merren me një punë apo janë duke fjetur). Për të dërguar në mesazh të tillë mjafton të shtoni @silent në mesazhin tuaj.
- Lo-fi chat theme: për të bërë bisedat që të ndihen më personale, mund të ndryshoni dizajnin e background-it.
- Sondazhe: tashmë ju mund të përdorni sticker-in e sondazheve për të dërguar një sondazh direkt në group chat.