Nëse e ke parë filmin Ready Player One nga Spielberg, besoj se koncepti i Party Royale nga Fortnite për të zëvendësuar socializimin fizik me atë digjital bën më shumë sens. E teksa jeta digjitale akoma nuk është bërë më e rëndësishme se e para, bota na jep shembuj se sa afër asaj jete jemi.
Në përgjigje të respektimit të distancimit social Gjykata e Lartë e Singaporit sapo dënoi dikë me vdekje nëpërmjet Zoom-it.
Të premten e kaluar 37 vjeçari Punithan Genasan nga Malajzia u dënua me vdekje për implikim në afera trafikimi droge.
Gjykatat dhe zyrat e shërbimeve për qytetarin kanë qenë të mbyllura për një kohë të gjatë në përpjekje për të mbajtur poshtë kurbën e rasteve, por drejtësia paska qenë kaq e nevojshëm për tu vënë në vend sa një vendim i tillë mund të jepej edhe nëpërmjet ekranit të ftohtë të Zoom.
Në fakt kjo nuk është hera e parë, Human Rights Watch raporton se i njëjti skenar është parë të zbatohet edhe në fillim të muajit në Nigeri. Ku një burrë u dënua me vdekje nëpërmjet Zoom nga autoritetet për akuzën e vrasjes.
Human Rights Watch denoncon të dyja rastet, përtej mos dakordësisë së tyre për vendimin me vdekje që vazhdon të jetë në fuqi në dy vendet e përmendura. Në një kohë kur e gjithë bota ndalon për të shpëtuar sa më shumë jetë të jetë e mundur, vendet e lartpërmendura bëjnë të kundërtën.
E dinim që Zoom do të na zëvendësonte mbledhjet e panevojshne në punë, por këtë nuk na e merrte mendja!