Shumica prej nesh kanë të instaluar në smartphone-in e tyre një shumëllojshmëri aplikacionesh në të cilat ne përhumbemi. Tashmë një studim i ri ka zbuluar se deri në ç’nivel njerëzit janë të fiksuar me aplikacionet e tyre.
YouGov zbuloi përmes një sondazhi se 1 në 4 njerëz hasin probleme në komunikimin me miqtë e tyre pasi përdorin shumë aplikacione. Ky fenomen i njohur si “app fog” shkaktohet nga konfuzioni i krijuar kur ju përdorni më tepër se një aplikacion për të dërguar mesazhe drejt miqve tuaj. Përdoruesit e smartphone-ve harrojnë se kush prej miqve përdor një aplikacion të caktuar, dhe nuk arrijnë të komunikojnë në mënyrë të njejtë me të gjithë.
Nga njerëzit që morrën pjesë në këtë sondazh, u zbulua se 1 në 3 persona kanë humbur një event të rëndësishëm me miqtë e tyre si rezultat i këtij problemi. Nga ana tjetër 1 në 10 persona pranon se “app fog” ka bërë që ato të humbnin kontaktet me miqtë e tyre.
47% e pjesëmarrësve në sondazh pranuan se ato janë të gatshëm të komunikojnë vetëm përmes aplikacionit të mesazheve që ndodhet në smartphone. Në këtë sondazh morën pjesë 1,966 përdorues të smartphone-ve. 23% e përdoruesve që kishin të instaluar 2 aplikacione komunikimi raportuan se e kishin provuar “app fog”, ndërkohë që përqindja rritej tek personat që kishin instaluar 3 aplikacione në 38% dhe 43% në personat që përdornin 4 aplikacione.
Amadine Le Pape tregoi se përdorimi i 5 apo 6 aplikacioneve të ndryshme për të komunikuar shton stresin në jetët tona.