Google dhe SpaceX po përgatisin një nga marrëveshjet më të mëdha dhe më të pazakonta në historinë e infrastrukturës së AI. Sipas një dokumenti të përditësuar S-1 të depozituar më 5 qershor, Google është gati t’i paguajë SpaceX plot $920 milionë çdo muaj, për afro 3 vite rresht. Nëse kontrata shkon deri në fund, fatura totale mund të arrijë në rreth $30 miliardë.
Marrëveshja i jep Google akses në rreth 110,000 GPU të NVIDIA, së bashku me harduerin shoqërues, nga tetori 2026 deri në qershor 2029. Qëllimi? Të mbulohet përkohësisht një mungesë masive kapacitetesh në Google Cloud, e cila po përballet me kërkesë shpërthyese për platformën e saj Gemini Enterprise.
Në thelb, Google po “merr me qira” një flotë gjigante GPU-sh nga SpaceX, në vend që të presë me vite për ndërtimin e infrastrukturës së vet. SpaceX menaxhon anën fizike dhe teknike të qendrave të të dhënave, ndërsa Google ruan plotësisht pronësinë mbi të dhënat, modelet dhe pronën intelektuale të zhvilluar, përfshirë teknologjitë që lidhen me Gemini.
Struktura e pagesës parashikon një tarifë të reduktuar deri në shtator 2026, përpara se pagesa e plotë mujore prej 920 milionë dollarësh të hyjë në fuqi. Kjo lëvizje tregon qartë presionin ekstrem mbi kapacitetet globale të fuqive llogaritëse të AI.
Nga ana tjetër, kjo marrëveshje sinjalizon edhe një kthesë strategjike për SpaceX. Kompania po pozicionohet gjithnjë e më shumë si furnizues infrastrukture për inteligjencën artificiale, pas një marrëveshjeje të ngjashme të nënshkruar së fundmi me Anthropic, krijuesja e modelit Claude.

