Apple po përflitet sërish se mund të ringjallë partneritetin e saj në prodhimin e çipeve me Intel, por këtë herë me një dallim thelbësor, pasi çipet do të dizenjohen nga vetë Apple, ndërsa Intel do të merrej vetëm me prodhimin e tyre. Sipas një shënimi kërkimor të analistit Jeff Pu nga GF Securities, Intel pritet të furnizojë Apple me disa çipe duke përdorur procesin e ardhshëm 14A, i cili parashikohet të hyjë në prodhim masiv rreth vitit 2028.
Pu kishte deklaruar edhe më herët se Intel mund të furnizojë Apple me çipe për disa modele jo-Pro të iPhone, duke nisur po nga 2028-a. Nëse kjo ndodh, Intel mund të prodhojë një pjesë të çipeve A21 ose A22 për iPhone-ët e ardhshëm, megjithëse TSMC pritet të mbetet partneri kryesor i Apple për prodhimin e çipeve. Roli i Intelit do të kufizohej vetëm në fabrikim, pa përfshirje në dizajn, ndryshe nga epoka e “Intel Mac”, kur Apple përdorte procesorë të dizajnuar nga Intel me arkitekturë x86. Apple nisi largimin nga Intel në kompjuterët Mac në vitin 2020.

Intel ka pasur edhe më parë një rol në zinxhirin e furnizimit të Apple, duke prodhuar modemë celularë për disa modele iPhone nga iPhone 7 deri te iPhone 11. Rikthimi i mundshëm i bashkëpunimit mund të shtrihet edhe te Mac dhe iPad. Analisti Ming-Chi Kuo ka parashikuar se Intel mund të nisë prodhimin e çipit më bazik të serisë M për disa modele Mac dhe iPad që nga mesi i vitit 2027, duke përdorur procesin 18A.
Ky bashkëpunim do t’i ndihmonte Apple-it të diversifikojë zinxhirin e furnizimit, në një moment kur Nvidia thuhet se ka kaluar Apple si klienti më i madh i TSMC, për shkak të kërkesës së lartë për çipe për inteligjencë artificiale. Njëkohësisht, Apple do të forconte prodhimin në SHBA, në përputhje me politikat për nxitjen e prodhimit vendas.

