Në vitin 2016 përdoruesi i njohur si Glubux nisi të publikonte rrugëtimin e projektit të tij në forumin Second Life Storage, me pajisje të thjeshta dhe me synim për të fuqizuar shtëpinë e tij me energji tërësisht të rinovueshme dhe për t’u shkëputur nga rrjeti. Sot, sistemi i tij funksionon prej 9 vitesh pa asnjë problem madhor, duke u bërë një shembull i rrallë i pavarësisë afatgjatë nga rrjeti elektrik.
Në fillim, Glubux kishte vetëm 1.4 kW panele diellore, një bateri të vjetër 24V/460Ah dhe disa pajisje Victron për menaxhimin e energjisë. Ai kishte mbledhur edhe rreth 650 bateri laptopi, të cilat u kthyen në sfidën e tij të parë: qelizat ishin të përdorura dhe kishin kapacitete të ndryshme, duke shkaktuar shkarkime të pabarabarta dhe probleme në sistem.

Për t’i zgjidhur, ai nisi një proces të përpiktë: çmontoi çdo paketë baterie, testoi çdo qelizë dhe hodhi poshtë ato të dobëtat. Qelizat e mira i organizoi në module 100Ah dhe i vendosi në rafte brenda një magazine të ndërtuar 50 metra larg shtëpisë, e pajisur me bateritë, inverterët dhe kontrollorët.

Me kalimin e viteve, vizioni u zgjerua. Ai shtoi 24 panele të tjera 440 W, rriti koleksionin e baterive në 1,000 njësi dhe i rindërtoi të gjitha në module të balancuara me kujdes. Bateria e vjetër mbeti pjesë e sistemit si buffer. Shtëpia furnizohet me një inverter 3 kVA që e mban funksionale edhe gjatë ndërprerjeve të energjisë në zonë.

Kapaciteti total u rrit nga 7 kWh në 56 kWh, mjaftueshëm për të përballuar ditë të gjata me re. Sipas Scienceclock, prej 8 vitesh funksionim, asnjë qelizë nuk ka dështuar, gjë që ka impresionuar komunitetin DIY dhe ka treguar kujdesin ekstrem të Glubux në përzgjedhjen dhe balancimin e qelizave.
Ajo që nisi si një postim i thjeshtë forumi është kthyer në një dëshmi të fuqishme se si mbetjet elektronike, kreativiteti dhe durimi mund të ndërtojnë një shtëpi tërësisht të pavarur nga rrjeti.

