Telefonat inteligjentë në të ardhmen mund të ‘zgjatin deri një muaj‘ me një karikim të vetëm, dhe kjo gjë do të bëhet e mundur nga avancimevet e reja teknologjike në industrinë e proçesorëve.
Shkencëtarët në Universitetin e Kembrixhit po punojnë për krijimin e një mikroçipi që mund të funksionojë në mënyrë kaq efikase, sa që pajisjet të kenë nevojë të karikohen vetëm 12 herë në vit. Këto zbulime do të mbështeten nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, pasi është shpallur një program dy-vjeçar prej £1.3 milionë, i cili do të ndihmojë disa startup-e të përzgjedhura në krijimin e këtyre teknologjive.
Mikroçipi i Vaire që mund të përmirësojë jetëgjatësinë e baterisë së telefonave inteligjentë është ideja e një ekipi studiuesish në Universitetin e Kembrixhit. Ideja bazohet në projektimin e një procesori silikoni që ka nevojë për gati zero energji për të funksionuar – që do të thotë se ka më pak nevojë për një bateri më të mirë.
Dhe pse ka shumë pak informacione të publikuara në lidhje me këtë avancim teknologjik deri më tani, shefi ekzekutiv i SiliconCatalyst.UK, Sean Redmond, i cili po drejton projektin, tha: “Nëse ata vërtet mund ta përmbushin këtë qëllim të vështirë, do të thotë që së shpejti do të kemi smartphone me bateri që do të zgjasë një muaj, jo një ditë. Askush në botë sot nuk ka qenë në gjendje të ofrojë një gjë të tillë përmes një proçesori gjysëmpërçues- dhe nëse dikush mund ta bëjë këtë gjë, ky është ekipi i Kembrixhit në MB.”
Midis kompanive të mbështetura nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është dhe MintNeuro, një kompani që ka shpikur një implant të vogël truri sa një kokërr piperi që mund të ndihmojë pacientët që vuajnë nga sëmundje të tilla si Parkinsoni apo epilepsia.