Në filmin e shkurtër që gjendet më poshtë ju mund të shikoni se si menaxheri i kompanisë ka nevojë të komunikojë me drejtuesi e kamionit që ndodhen disa kilometra larg qytetit.
Sigurisht ju mund të mendoni se një gjë e tillë është fare e thjeshtë, por në vitet 1940 komunikimi telefonik nuk ishte kaq prezent sa është në ditët e sotme. Duheshin dhe 4 dekada të tjera para se të prezantohej celulari masiv Motorola DynaTAC 8000X. Gjatë asaj periudhe ideja e komunikimit me një person që nuk është në shtëpi apo zyrë, pa përmendur aspak komunikimin me një kamionist në rrugë, ishte “një film fantashkencë”.
Megjithatë inxhinierët në Bell e bënë një gjë të tillë të mundur, duke krijuar një sistem që transmeton bisedat pjesërisht nëpërmjet valëve radio dhe pjesërisht nëpërmjet linjave telefonike. Kjo gjë nxiti ndërtimin e këtyre stacioneve përgjatë intervaleve të ndryshme në autostrada në mënyrë që lidhja telefonike të ishte e vazhdueshme.
Siç tregohet dhe në video, proçesi i kryerjes së telefonatës konsiston në komunikimin me operatorët që bëjnë të mundur lidhjen me personin nga ana tjetër.
Për shkak se smartphone-t janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme, shumë prej nesh nuk kanë nevojë për instruksione të veçanta para se të nisin përdorimin e tyre. Mirëpo në vitet 1940, kjo teknologji ishte një risi, prandaj Bell Telephones krijoi këtë film të shkurtër për të prezantuar akoma më mirë mënyrën se si sistemi i ri që kishin krijuar funksiononte.