Injeksionet e rregullta të insulinës për të mbajtur nivelet e sheqerit në gjak në normë janë tashmë pjesë e përditshmërisë së personave që vuajnë nga sëmundja e diabetit. Mirëpo me avancimin e teknologjisë, ka vend për optimizëm.
Shkencëtarët në Australi kanë identifikuar një molekulë që aktivizon receptorët në të njejtën mënyrë si insulina, duke shtruar kështu rrugën e krijimit të një ilaçi të tretshëm që do të zëvnëdësojë injeksionet me insulinë.
Shkencëtarët në Walter and Eliza Hall Institute kanë arritur të avancojnë shumë në këtë drejtim, duke përdorur mikroskopët krio-EM për të parë strukturat komplekse të molekulave në detaje. Më pas ato arritën të krijonin imazhe 3D të një receptori të insulinës në detaje atomike, dhe shikuan mënyrën se si molekulat e ndryshme ndërvepronin me to.
“Përmes krio-EM ne mund të krahasojmë në mënyrë direkte molekula të ndryshme, duke përfshirë insulinën dhe ndryshimin në formën e receptorëve të saj.” tha autori i këtij studimi Dr Nicholas Kirk. “Ndërveprimi i insulinës me receptorin duket se është dhe më kompleks se ç’kishim parashikuar, pasi ato ndryshojnë dramatikisht formën ndërkohë që ndërveprojnë.”
Sigurisht shkencëtarët nuk e mohojnë se do të duhet ende shumë punë për të shndërruar zbulimin e tyre në krijimin e një ilaçi për sëmundjen e diabetit. Megjithatë ata tregojnë se këto zbulime i japin fund një misteri afatgjatë nëse molekulat e tjera mund të imitonin rolin e insulinës.