BE ka prezantuar përpjekjen e saj më të madhe legjislative për të balancuar konkurencën në botën e teknologjisë. Akti i ri Digital Markets, ose DMA, ka si qëllim të frenojë fuqinë e korporatave gjigande të teknologjisë dhe të lejojë entitetet më të vogla të konkurojnë.
Deri më tani BE ka parandaluar monopolin përmes trajtimit të rasteve të veçanta, mirëpo DMA do të prezantojë reforma të reja që do të adresojnë problemet sistematike të tregut. Ky lajmërim shënjestron ndërveprimin e aplikacioneve të komunikimit si WhatsApp, Facebook Messenger dhe iMessage, ku BE tregon se ofruesit duhet të “bashkëpunojnë me platformat e vogla të komunikimit nëse ato kërkojnë.” Kështu përdoruesit do të kenë më tepër zgjedhje mbi mënyrën se si dërgojnë mesazhe, pa u shqetësuar mbi platformën që përdorin.
Në legjislacionin e ri është dhe një kërkesë ku tregohet se përdoruesit duhet të jenë në gjendje të “përzgjedhin lirshëm browser-in, asistentë virtualë apo motorët e kërkimit”. Kërkesa të tjera që do të bëhen do të jenë e drejta e çinstalimit, aksesimit të të dhënave, transparenca e reklamimit, kërkesat në app store dhe dhënia fund e vetë-preferencimit.
Ky legjislacion nuk është miratuar ende, por do të bëhen disa finalizime para se ai të aprovohet nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian. Me shumë mundësi DMA do të vijë gjatë muajit tetor të këtij viti.
Nëse kompanitë më të mëdha të teknologjisë si Google, Amazon, Microsoft, Meta apo Apple nuk ndjekin këto rregulla, atëherë do të gjobiten.