Inteligjenca artificiale (AI) ka gjetur zgjidhjen për të mbrojtur fotot tuaja personale nga programet e padëshiruara që vjedhin të dhënat tuaja biometrike, të gjitha pa prishur cilësinë e imazhit.
Një studim i ri nga universiteti Georgia Tech, i publikuar më 19 korrik, tregon me detaje se si studiuesit krijuan një model të AI të quajtur “Chameleon“, i cili mund të prodhojë një “maskë të vetme, të personalizuar që ruan privatësinë dixhitale për fotot personale duke penguar skanimin e padëshiruar të fytyrës të një personi”.
Nëse ju do të përdorni Chameleon, skanuesit e fytyrës do të njohin fotot tuaja si një person tjetër.
Autori kryesor i studimit, Ling Liu tha në një deklaratë se: ”Ndarja e te dhënave dhe ruajtja e privatësisë do të ndihmojë në avancimin e Inteligjencës Artificiale.”
Skanimi i padëshiruar ose i paautorizuar lejon keqdashësit kibernetikë që të mbledhin imazhe për të kryer skema mashtrimi. Ata madje mund të mbledhin imazhe për të ndërtuar një databazë qëmund të shfrytëzohet më vonë në një sulm kibernetik.
Studiuesit thanë se Chameleon ka tre veçori specifike. E para është përdorimi i optimizimit të ndër-imazhit që i mundëson Chameleon të krijojë një maskë për çdo përdorues, dhe jo një maskë të re për çdo imazh. Kjo do të thotë se sistemi i AI mund të ofrojë mbrojtje të menjëhershme për një përdorues, dhe gjithashtu mundëson përdorim më efikas të burimeve të kufizuara kompjuterike. Në këtë mënyrë Chameleon bën të mundur përdorimin dhe në pajisje më pak të fuqishme si smartphone-t.