BMW ka vendosur të shtojë numrin e planeve të abonimit për shërbime “të veçanta” në SHBA. Kompania ka zbuluar se 5 shërbime të tjera në makina do të mund të aksesohen nga përdoruesit vetëm pasi të kenë paguar një shifër të caktuar parash si Remote Engine Start, Drive Recorder, Traffic Camera, Driving Assistance Plus dhe Parking Assistant Professional.
Shumica e këtyre shërbimeve mund të aksesohen nga përdoruesit për një periudhë 1 mujore, 1 vjeçare, 3 vjeçare ose mund të blihen njëherë e përgjithmonë.
Motorauthority zbuloi se ndezja nga distanca e makinës do të kushtojë $10 në muaj, $105 në vit, $250 për 3 vite ose $330 për të gjithë ekzistencën e makinës. Për sa i përket regjistrimit Drive Recorder, BMW do të kërkojë $39 për një vit, $99 për 3 vite ose një pagesë e vetme për $149.
Asistenti i drejtimit me Stop&Go mund të shtohet në makinë për $20 në muaj, $210 në vit, $580 në 3 vite apo të blihet njëherë e mirë për $950. Asistenti profesional i parkimit do të ofrohet për $5 në muaj, $50 në vit, $130 për 3 vite ose $220 për gjatë gjithë kohës.
Shërbimi Traffic Camera do të ofrohet përmes një abonimi vjetor prej $25.
Është ende e paqartë nëse numri i shërbimeve që do të ofrohen përmes abonimit do të rritet nga BMW.