Një ekip studiuesish në MIT po konsiderojnë një metodë radikale për të kundërshtuar efektet e ndryshimeve klimatike. Ato propozojnë përdorimin e një flote me “flluska hapësinore” të cilat do të reflektojnë dritën e Diellit nga Toka.
Kjo metodë është një formë moderne e gjeoinxhinierisë diellore, e cila është dizenjuar për të reflektuar dritën e diellit larg Tokës, me qëllim ftohjen e planetit tone dhe parandalimin e efekteve tepër negative të ndryshimeve klimatike.
Në këtë mënyrë, ata planifikojnë të krijojnë një “mburojë me flluska hapësinore” nga Pika 1 e Lagranzhit, e cila është një hapësirë orbitale tepër e qëndrueshme në hapësirë, ku forca gravitacionale e Tokës dhe e Diellit barazohet. Për shembull, James Webb Space Telescope është pozicionuar në Pikën 2 të Lagranzhit.
Problemi kryesor i kësaj metode janë përmasat gjigande të saj. Shkencëtarët në MIT besojnë se madhësia e mburojës me flluska hapësinore duhet të jetë sa shteti i Brazilit. Megjithatë ata besojnë se flluskat mund të prodhohen në hapësirë, duke reduktuar kështu kostot e transportit. Aktualisht ata po eksperimentojnë në laborator me flluska hapëisnore me silikon.
Një anë mjaft e mirë e kësaj metode është reversibiliteti i saj. Nëse flluskat kanë një efekt të padëshiruar në Tokë, atëherë ato mund të shpohen. Kjo është shumë e rëndësishme në një eksperiment kaq madhor.