Numri i personave diabetikë pritet të dyfishohet nga 529 milionë në vitin 2021 në 1.3 miliard në vitin 2050, siç raportohet nga një studim i publikuar në revistën Lancet.
Kjo sëmundje po përhapet në shifra shumë alarmante duke u shndërruar kështu në një rrezik global për njerëzit dhe sistemet shëndetësore. Për momentin sëmundjet kardiovaskluare janë shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën, sipas të dhënave nga organizata WHO, ndërkohë që diabeti renditet si shkaku i 9-të.
Megjithatë, me rritjen e popullsisë në 10 miliardë deri në vitin 2050, incidence e diabetit pritet të rritet në mënyrë të frikshme. 1 në 7 njerëz do të preken nga kjo sëmundje, e cila mund të shkaktojë shumë probleme dhe për sistemet shëndetësore.
Faktorët e rrezikut për zhvillimin e diabetit janë të ndryshme, por më kryesoret janë mosha, historia familjare e pacientit si dhe etniciteti i tij, mbipesha dhe obeziteti. Gjithashtu dhe kushtet strukturore të jetesës apo të punës kanë ndikuar në përhapjen e kësaj sëmundje.
Ekspertët i konsiderojnë këto parashikime alarmuese dhe kanë nxitur qeveritë që të përmirësojnë kushtet e trajtimit apo të ndërmarrin fushata kundër shkaqeve kryesore të diabetit. Nëse nuk arrihet të merren masat e nevojshme, diabeti mund të shndërrohet në një sfidë tepër të madhe shëndetësore për të gjithë shtetet dhe grupet e ndryshme të moshave në dekadat e ardhshme.