Pa shumë zhurmë Tesla ka lançuar Cyberquad për fëmijë i cili kushton $1,900. Ai mund të porositet direkt nga website-i i Tesla, dhe do të fillojë të transportohet pas 2 ose 4 javësh. Ky lançim surprizë vjen 2 vite pas prezantimit fillestar të Cyberquad ATV që ka një dizajn të ngjashëm me Cybertruck.
Kjo pajisje e re është e dizenjuar për fëmijët mbi 8 vjeç, dhe sigurisht për ato fëmijë që kanë prindër të pasur dhe mund të përballojnë këtë çmim “premium”. Në të përfshihen trupi prej çeliku, ulësja me jastëk, suspension i rregullueshëm dhe frenim me rrotat e pasme. Për të ngjasuar sa më shumë me Cybertruck, Cyberquad është i pajisur me një shirit dritash LED. Shpejtësia maksimale e kësaj pajisjeje arrin 16 km/h, dhe bateria do të përshkojë 24 km me një karikim të plotë.
Out riding with the kids on the Cyberquads! So much fun for kids and adults! @tesla pic.twitter.com/gq23GWsiDk
— Franz von Holzhausen (@woodhaus2) December 2, 2021
Sigurisht nëse ju dëshironi të rregulloni nivelin e shpejtësisë mundeni, pasi Cyberquad vjen me 3 nivele shpejtësie, 8 km/h, 16 km/h dhe 8km/h lëvizje mbrapsht. Tesla thotë se do të duhen rreth 5 orë për të karikuar tërësisht baterinë e pajisjes, dhe se autonomia e saj mund të varet nga terreni që përshkohet. Cyberquad për fëmijë do të shitet momentalisht vetëm në SHBA.