Apple e di mjaft mirë se flluskat blu janë një barrierë e madhe që pengon njerëzit të largohen nga ekosistemi që kjo kompani ka ndërtuar, dhe kjo është një ndër arsyet më të mëdha se pse ky shërbim nuk është ofruar në sistemin operativ të Google.
Këto deklarata janë marrë nga disa email të punonjësve të Apple bashkë me disa drejtues të rangut të lartë, të cilat u zbuluan gjatë përplasjes juridike mes Epic Games dhe Apple.
Epic akuzon Apple se kjo kompani kërkon të “mbyllë” përdoruesit e në ekosistemin e tij të pajisjeve, ku iMessage është një ndër shërbimet më kryesore që ndihmon këtë kauzë. Një punonjës i paidentifikuar ka komunikuar me Phil Schiller nëpërmjet email-it ku ka shkruar “Arsyeja numër 1 që të pengon nga largimi i universit të Apple është iMessage.” Schiller është përgjigjur më pas duke thënë se “Lëvizja e iMessage në Android do të na dëmtojë ne dhe ky email ilustron arsyen pse.”
Bashkë me iMessage, Epic citon një numër tjetër shërbimesh të ofruara nga Apple që kontribuojnë në mbylljen në ekosistem. Këto shërbime përfshijnë dhe aplikacionin video chat FaceTime, ku Steve Jobs tha se ky aplikacion do të jetë një standart i hapur në industri në WWDC 2010. Megjithatë ne të gjithë e dimë se FaceTime ngeli një aplikacion që mund të përdoret vetëm nga pajisjet e prodhuara nga Apple.