Ishte krejt e zakonshme që përpara 10 vjetësh, teksa ishe duke pirë kafen e pasdites,apo duke luajtur me letra Yu-Gi-Oh njëri prej shokëve të çohej furishëm dhe në vrap e sipër të bërtiste: “kam për të korrur grurin.”
Kumbllat e blegtoria kanë ekzistuar sa jeta vetë, por në 2009-2010 njerzit u çmendën nga një fermë virtuale e cila në mungesë të smartphonëve, duhej të kontrollohej nga PC i shtëpisë apo i një internet caffe.
Loja mund të luhej në Facebook, duke u bërë edhe arsyeja pse disa prej nesh e hapën një llogari në të.
Sot ama konfirmohet lajmi se FarmVille do të mbyllet përfundimisht në 31 dhjetor 2020.
Arsyeja fshihet pas vendimit të Adobe për të mos suportuar më Flash Player-in e nevojshëm për këtë kategori lojrash. Njëkohësisht edhe Facebook do të bëjë të njëjtën gjë.
Lajmin e ka konfirmuar Zynga zhvilluesi i cili së bashku me Farmville dhe Texas Hold Em Poker na mbajtën për vite me radhë të ngjitur pas ekraneve.
Megjithatë për fansat e zjarrtë,nëse ka mbetur ndonjë, Zynga ka vendosur që ta sjellë në një version të ri tërësisht mobile nën emrin FarmVille 3. Loja pritet të dalë së shpejti.