Civil Aviation Authority në Zelandën e Re po kërkon që të gjithë linjat ajrore që operojnë në këtë vend të nisin të peshojnë pasagjerët që do të nisen në udhëtime ndërkombëtare duke nisur nga data 2 korrik 2023.
Ky program do të jetë një mënyrë për të grumbulluar informacione mbi peshën totale të pasagjerëve dhe për të llogaritur shpërndarjen e tyre në aeroplan, siç tregon CAA.
“Ne peshojmë gjithçka që futet në aeroplan, që nga valixhet e deri tek ushqimet në bord,” tha specialisti Alastair James. “Për të gjithë pasagjerët, stafin dhe çantat e kabinës ne përdorim pesha mesatare.”
Megjithatë pesha është një matje personale që jo gjithkush dëshiron ta ndajë me persona të tjerë, prandaj për të mbrojtur privatësinë individuale, linjat ajrore tregojnë se të dhënat do të mbeten anonime. Të gjithë pasagjerëve do t’u kërkohet që të peshohen gjatë check-in. Informacioni mbi peshën nuk do të shfaqet në ekranin e agjentit, por do të ruhet automatikisht.
Pasagjerët do të vendosin dhe çantat e dorës në një peshore tjetër identike. “Ne e dimë se peshimi mund të jetë jo i pëlqyeshëm. Ne duam të sigurojmë pasagjerët se ajo nuk do të jetë e dukshme në asnjë vend. Askush nuk do të mund të shikojë peshën tuaj, madje as vetë ne.” shtoi James.