Parlamenti i Japonisë miratoi ditën e djeshme një legjislacion që bën të dënueshëm ofendimin online deri në 1 vit burgim, për shkak të shqetësimeve të shtuara rreth bullizmit kibernetik, i cili rezultoi në vetëvrasjen e një personi të famshëm që ishte përballur me abuzime nga rrjetet sociale.
Pritet që legjislacioni i ri të hyjë në fuqi pas kësaj vere, dhe personat e dënuar për ofendime online do të mund të dënohen deri në 1 vit burgim ose të paguajnë një gjobë prej 300,000 yen ($2,200). Kjo është një rritje e konsiderueshme e dënimit ekzistues, që parashikonte një arrestim prej 30 ditësh ose një gjobë prej $75.
Legjislacioni ishte një nismëtar i debateve në parlamentin vendas, pasi kundërshtarët mendojnë se një gjë e tillë mund të pengojë fjalën e lirë dhe kritikat ndaj këtyre personave. Megjithatë, mbështetësit treguan se legjislacioni më i fuqishëm është i nevojshëm për t’i dhënë fund bullizmit kibernetik.
Nën kodin penal të Japonisë, ofendimet përshkruhen si një nënçmim publik i pozitës shoqërore të dikujt pa iu referuar fakteve specifike të tyre apo veprimeve specifike, sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Drejtësisë në Japoni.
Problemi i bullizmit kibernetik mori vëmendje të madhe pas vdekjes së mundëses profesionale dhe yllit të televizionit Hana Kimura, e cila u vetëvra në 2020. Besohet se ky vendim i marrë nga Kimura erdhi pas abuzimit kibernetik me të cilin ajo përballej prej disa muajsh në rrjetet sociale.