Korea e Veriut ka vendosur që të dënojë rëndë të gjithë personat që shpërndajnë ose shohin serialin hit të Netflix, Squid Game.
Një raportim nga Radio Free Asia citoi se në Korenë e Veriut një person i cili kontrabandoi dhe shiti serialin e famshëm në vend u dënua me vdekje, ndërkohë që student i cili bleu një nga këto USB u dënua me burgim të përjetshëm.
RFA tregoi se ka marrë disa lajme të tjera ku thuhet se 6 studentë të tjerë që kishin parë këtë serial janë dënuar me 5 vite punë të rëndë. Me shumë mundësi dhe mësuesit e tyre dhe administratori i shkollës janë dëbuar nga vendi i punës dhe tashmë punojnë në miniera.
Gjithçka filloi javën e kaluar kur një student bleu USB që kishte të ngarkuar serialin Squid Game dhe e ndoqi këtë serial me shokun e tij të ngushtë. Shoku i tij lajmëroi dhe disa nxënës të tjerë nga klasa që ishin të interesuar për të parë këtë serial, dhe më pas ky informacion i është shpërndarë policisë nga një nga këta persona.
Kjo është hera e parë që qeveria e Koresë së Veriut po dënon minorenët në bazë të ligjit që ndalon shpërndarjen, shikimin apo ruajtjen e medias nga vendet kapitaliste si Korea e Jugut.
Njëri nga këto studentë me sa duket ka shpëtuar nga ky dënim pasi kishte prindër të pasur të cilët kishin paguar një ryshfet prej $3,000.