Stellantis, kompania mëmë e Dodge, Jeep dhe Chrysler ka përzgjedhur shtetin e Indianas si vendin e duhur për të ndërtuar një fabrikë ku do të prodhohen bateritë për makinat elektrike. Kjo fabrikë do të ndërtohet në bashkëpunim me Samsung SDI, që merret me prodhimin e baterive për EV.
Fabrika e re do të krijojë 1,400 vende pune të reja, dhe do të kushtojë $2.5 miliardë për t’u ndërtuar, megjithatë Stellantis dhe Samsung janë të gatshme të shpenzojnë deri në $3 miliardë për këtë projekt.
Stellantis, e cila është futur disi më vonë në tregun e makinave elektrike se Ford dhe General Motors, tregon se qëllimi i tyre është të arrijnë të shesin 5 milionë makina elektrike nga viti 2030. Megjithatë CEO i Stellantis, Mark Stewart, nuk është shumë i kënaqur me raportimet që tregojnë se kompania është e fundit në garë. “Disa herë njerëzit mendojnë se ne jemi në vendin e fundit në këtë garë, mirëpo ne nuk jemi. Sot ne kemi 25 lloje të ndryshme makinash elektrike që gjenden në tregjet botërore.”
Fabrika e re në Indiana do të nisë prodhimin në 2025 dhe do të ketë një kapacitet prodhimi vjetor 23GWh, me qëllim që shifrat të shkojnë në 33GWh në vitet e ardhshme.