Ford ka nisur bindshëm tranzicionin e saj drejt prodhimit të makinave tërësisht elektrike në Evropë. Kompania tashmë planifikon të prezantojë 7 makina të reja elektrike në Evropë deri në vitin 2024. Kjo linjë do të fokusohet tek modelet crossover, duke përfshirë këtu versionet elektrike të Puma dhe modele sportive.
Medium crossover do të jetë makina e parë elektrike që do të prodhohet në masë nga fabrika e re në Köln të Gjermanisë dhe do të vijë me një autonomi prej 500km. Kjo makinë do të prezantohet formalisht në fund të këtij viti dhe do të nisë prodhimin në 2023.
Ne mund të presim gjithashtu dhe versione të reja të furgonëve Transit dhe Tourneo. Transit Custom dhe Tourneo Custom pritet që të prezantohen gjatë 2023, ndërkohë që Transit Courier dhe Tourneo Courier do të vijnë gjatë 2024. Në linjën e makinave elektrike të Ford në Evropë bëjnë pjesë dhe Mustang Mach-E dhe E-Transit.
Ford shpreson që të arrijë të eleminojë modelet e makinave që përdorin lëndë djegëse deri në vitin 2035. Kompania tregon se aktualisht Puma është një ndër makinat më të shitura në në Evropë, dhe furgonët si Transit janë tepër të përdorur nga bizneset evropiane, prandaj ka vendosur që këto të jenë ndër modelet e para që do të elektrifikohen.