Në pjesën më të madhe të kohës ne përdorim mesazhet e shkruajtura për të komunikuar me miqtë tanë, mirëpo ndonjëherë keni dëshirë të shpërndani një informacion sensitiv që të fshihet automatikisht nga chat-i që keni me një kontakt.
Ju mund të aktivizoni shërbimin që fshin automatikisht të gjitha mesazhet, qofshin këto tekste apo media, megjithatë kjo nuk duket një zgjidhje shumë e përshtatshme. Prandaj WhatsApp ka menduar për ju dhe ka nisur të zhvillojë një shërbim të ri: dërgimin e mesazheve zanore që mund të dëgjohen vetëm një herë.
Shërbimi ka nisur të testohet nga të gjithë përdoruesit e versionit beta të WhatsApp në iOS dhe Android sipas WABetaInfo. Në mënyrë mjaft të ngjashme me fotografitë apo videot që mund të shikohen vetëm një herë, mesazhet zanore nuk do të regjistrohen në smartphone-in tuaj, nuk mund të regjistrohen dhe as të shpërndahen me një person tjetër.
Për momentin ky shërbim është duke u testuar, dhe nuk dihet ende se kur do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit. Megjithatë, vetë fakti se WhatsApp e ka ofruar këtë shërbim në versionin beta të aplikacionit, na bën të besojmë se shërbimi do të ofrohet shumë shpejt për të gjithë përdoruesit.