Së shpejti Instagram mund t’ju lejojë të ndani Stories me grupe të veçanta miqsh. Gjatë një transmetimi në faqen e tij, kreu i Instagramit Adam Mosseri ka zbuluar se rrjeti social ka filluar të testojë aftësinë për të ndarë Stories në lista të shumta audiencash.
Aplikacioni tashmë ka një shërbim të ngjashëm “close friends”, i cili ju jep mundësinë për të futur miq të caktuar në një listë dhe për të ndarë Stories vetëm me atë grup njerëzish. Kjo ju jep pak privatësi në rrjetin social, veçanërisht nëse keni një profil publik. Por ndonjëherë, mund të keni gjëra për të ndarë me njerëz jashtë grupit tuaj më të ngushtë të miqve. Të kesh opsionin për të krijuar dhe mbajtur lista të shumta do të thotë që nuk duhet të shtoni njerëz në listën tuaj të miqve të ngushtë nëse ata nuk i përshtaten përshkrimit dhe mund të ndani përditësime përkatëse me grupe të ndryshme njerëzish dhe nëngrupe ndjekësish.
“Kjo ju lejon të ndani Stories me grupe më të vogla dhe ju jep më shumë kontroll se kush mund t’i shohë Stories tuaja,” tha Mosseri. “Si dikush që përdor shpesh ‘close friends’, jam shumë i emocionuar që mund të krijoj lista shtesë për njerëzit në jetën time.”
Siç mund ta shihni në shembullin e mësipërm, ju mund të krijoni grupe të veçanta për vëllezërit e motrat tuaja, për shembull, ose për të njohurit vendas që gjithashtu e duan ushqimin. Ndërsa Mosseri dukej se ishte i tepër i gëzuar për mundësinë e krijimit të listave të shumta, ai tregoi se ky shërbim është ende në fazë testimi dhe nuk ka asnjë garanci që do të ofrohet më gjerësisht.